прва страница      за нас          редакција       претплата      маркетинг       контакт  

23.4.2014  
 Архива
 2009
 2008
 2007
 2006
 2005

Maqedonasit dhe vendimet e paqes së Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit

Pozita e popullit maqedonas në kohën e Krizës Lindore

Shkatërrimi i Perandorisë Lindore u përshpejtua si rezultat i zhvillimit të konceptit të kombeve në truallin e Evropës, por edhe si rezultat i ndryshimeve të brendshme në vet perandorinë. Pasqyrimi i revolucionit francez dhe kërkesat për rishqyrtim të kufijve të Evropës sipas parimit një shtet – një komb, i nxiti grekët, bullgarët dhe serbët që ta organizojnë luftën e tyre, si luftë për formimin e shteteve të tyre kombëtare. Njëkohësisht, ndryshimet e brendshme në perandori të shkaktuara nga braktisja e sistemit të timarit u shoqëruan edhe me rritjen e tatimeve dhe të tiranisë së pushtet mbajtësve vendorë dhe të mbledhësve të tatimeve, me veprime të bandave grabitëse, me punë pa pagesë me të cilën detyroheshin fshatarët etj. E gjithë kjo e keqësoi pozitën e popullsisë nën pushtetin e Perandorisë Osmane dhe e rriti qëndresën kundër saj.

Në një situatë të tillë u gjend populli maqedonas kah fundi i shek. XIX në lidhje me “Çështjen Lindore”1. Në të gjitha ngjarjet të lidhura me shkatërrimin e Perandorisë Osmane dhe ndarjet e reja të tokave, toka në të cilën jetonte populli maqedonas ishte objekt interesimi, ndërsa vet populli shumë pak merrte pjesë si subjekt i barabartë në ngjarjet. Interesi i popullsisë maqedonase në këto hapësira nuk u morr parasysh në asnjërën nga bisedat të cilat u zhvilluan dhe në propozimet të cilat ofroheshin për zgjidhjen e Çështjes Lindore në këtë periudhë. Në atë kohë, Dimitar Pop Georgiev e organizoi Kryengritjen e Razllovcit (1876) dhe filloi agjitacion kundër Perandorisë Osmane.

Lufta ruso-turke dhe Marrëveshja e Shën Stefanit

Pas përpjekjes së pasuksesshme të Fuqive të Mëdha që t’i zgjidhin problemet e popujve ballkanikë (Konferenca e Stambollit) në vitin 1877 Rusia e sulmoi Perandorinë Osmane, ndërsa një pjesë e popujve nën pushtetin osman hynë në luftë në anën e Rusisë. Në anën e ushtrisë ruse e më vonë edhe të asaj serbe luftonte një pjesë e madhe e vullnetarëve maqedonas me shpresë se do ta shpejtojnë çlirimin e vendlindjes së tyre. Më vonë këta luftëtarë fillojnë aktivitet kryengritës në mesin e maqedonasve me çka u krijuan më shumë toka të lira.

Përparimi i shpejtë i ushtrisë ruse dhe afrimi i saj pranë Stambollit e detyroi Perandorinë Osmane të nënshkruajë marrëveshje paqësore me Rusinë. Me marrëveshjen e arritur në Shën Stefan (qytezë në afërsi të Stambollit, Yesilköy i sotëm) në vitin 1878, Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria duhej të bëhen shtete të pavarura. Sipas marrëveshjes, shteti i posakrijuar bullgar e përfshinte tokën e Bullgarisë së sotme Jugore dhe Veriore dhe thuajse tërë truallin në të cilin jetonin maqedonasit.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Shën Stefanit dhe ndarja e tokave të propozuara me të shkaktuan pakënaqësi dhe reagime të shumta tek emigracioni maqedonas sepse Maqedonia nuk ishte ndër shtetet e posakrijuara. Në këtë periudhë u theksua aktiviteti i Dimitar Robevit i cili ishte deputet maqedonas në parlamentin turk. Ai i dënoi propagandat e shteteve fqinje ballkanike të cilat dëshironin t’ia bashkëngjitin vetes tokën në të cilën jetonin maqedonas. Në maj të vitit 1878 Robevi arriti në Beograd ku u lidh me mërgatën përparimtare maqedonase që të sigurojë përkrahje për krijimin e Maqedonisë së pavarur. Ai hyri në lidhje me burrështetas të dalluar serbë, të cilët për t’i mbrojtur interesat e tyre nuk u pajtuan me kërkesat e Robevit dhe e fajësuan se me nxitjen e vet dëshironte të bëhet princ në Maqedoninë e pavarur.

Kongresi i Berlinit dhe pasojat për popullin maqedonas

Me marrëveshjen e Shën Stefanit, Rusia fitoi fuqi të madhe. Atë, shtetet tjera evropiane e përjetonin si kërcënim për veten dhe për interesat e tyre, prandaj në qershor të vitit 1878 e thirrën Kongresin e Berlinit. Në këtë kongres u bë rishikim i tërësishëm i marrëveshjes së Shën Stefanit, ndërsa për pozitën e Perandorisë Osmane vendosnin bashkërisht fuqitë evropiane. Me vendimet e reja, Perandoria Osmane e humbi një pjesë të madhe të tokave evropiane, u zvogëlua ndikimi i Rusisë, u rrit fuqia e Austro-Hungarisë dhe e Britanisë së Madhe, ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Rumania fituan pavarësi.

 

Krahas diplomatëve të cilët i përfaqësonin Fuqitë e Mëdha, në Kongresin e Berlinit merrnin pjesë edhe delegatë nga Turqia dhe nga shtetet ballkanike. Delegatët e shteteve ballkanike dëgjoheshin me respekt e pastaj injoroheshin. Përfaqësuesit nga Turqia jo vetëm që u injoruan por edhe u ofenduan, veçanërisht kur Bizmarku iu drejtua me fjalët: “Nëse mendoni se Kongresi është thirrur për shkak të Turqisë mos u gënjeni. Marrëveshja e Shën Stefanit do të ngelej e pandryshuar nëse nuk i cenonte disa interesa evropiane”.

Leften Stavrijanos – Ballkani pas vitit 1453  (Beograd 2005),
fq. 391 (botim në gjuhën serbe).

Me vendimet e Kongresit të Berlinit Maqedonia në kufijtë e saj gjeografikë dhe etnikë u shkëput nga Bullgaria e planifikuar e Shën Stefanit dhe u kthye në përbërje të Perandorisë Osmane. Me marrëveshjen e Berlinit u parapa që në viset e banuara me maqedonas të bëhen reforma administrative me të cilat këto hapësira do të fitojnë të drejta autonome. Reformat nuk u realizuan si duhet, me ç’rast edhe më tepër u rrit pakënaqësia te popullsia maqedonase.

Këto vendime nuk përputheshin me dëshirat edhe kërkesat e popullit maqedonas për krijimin e shtetit të pavarur maqedonas. Pakënaqësinë e vet nga gjendja e krijuar populli maqedonas e shprehi nëpërmjet organizimit të kryengritjeve (Kryengritja Maqedonase e Kresnenit, 1878), formimin i çetave për vetëmbrojtje, ngritjen e kryengritjeve dhe organizim të komploteve (Kryengritja e Bërsjakut e njohur me emrin Komploti i Demir Hisarit 1880-81).

Më e rëndësishme në mesin e të gjitha kryengritjeve për çlirimin e popullit maqedonas ishte ajo e Ilindenit, e cila filloi m 2 gusht 1903. Kryengritjen e organizoi OFRM-ja me qëllim që fitohet autonomi. Gjatë kryengritjes u krijua Republika e Krushevës. Trembëdhjetë ditë më vonë, osmanlinjtë e morën pushtetin dhe e pezulluan republikën e parë në Ballkan.
 
LUFTËRAT BALLKANIKE

Krijimi i Aleancës Ballkanike

Pas Kongresit të Berlinit në Gadishulli Ballkanik vijoi periudhë e mbushur me kryengritje, marrëveshje dhe komplote në të cilat drejtpërdrejtë ishin të përfshira dy fuqitë e mëdha evropiane, Rusia dhe Austro-Hungaria. Në atë kohë, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bullgarisë u keqësuan, ndërsa Serbia u përpoq t’i zgjerojë tokat e saja. Austro-Hungaria punonte për t’i rritur mosmarrëveshjet si ndërmjet vendeve ballkanike me popullsi shumicë sllave (Serbi, Bullgari dhe Mal të Zi), ashtu edhe ndërmjet atyre me popullsi shumicë jo sllave (Greqi dhe Rumani), dhe më në fund ta përvetësojë tokën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Tre shtetet ballkanike Serbia, Bullgaria dhe Greqia shfaqën interesim për tokat evropiane të cilat mbetën nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Të tre shtetet synonin të dëshmojnë se toka e banuar me maqedonas në fakt është tokë e tyre, e banuar me popullsi të tyre. Për këtë arsye, çdonjëri nga këta shtete filloi të ushtrojë ndikimin e vetë ndaj popullsisë maqedonase, duke i shfrytëzuar shkollat dhe kishën.

 

Gjysmë shekulli më herët, kur u krijua Aleanca e Parë Ballkanike, ambasadori rus në Stamboll Nikolla Ignjatiev deklaroi: “Nuk duhet të kemi kurrfarë iluzioni rreth sinqeritetit dhe qëndrueshmërisë së Aleancës. Kur do të përfundojë lufta me turqit, rivalitetet kombëtare sërish do të shfaqen dhe shumë vite asgjë e qëndrueshme nuk do të krijohet në Gadishullin Ballkanik”. Saktësia e analizave të Ignjatievit u vërtetua plotësisht me luftërat e pandërprera rreth Maqedonisë.

Leften Stavrijanos – Ballkani pas vitit 1453  (Beograd 2005),
fq. 510 (botim në gjuhën serbe).

Në periudhën e viteve 1908-1909 u zhvillua revolucioni xhonturk2, ndërsa në vitin 1911-1912 u zhvillua lufta turko-italiane. Këto ngjarje krijuan kushte që shtetet ballkanike t’i pushtojnë tokat evropiane që kishin mbetur nën Perandorinë Osmane. Hapi i parë në këtë drejtim ishte lidhja e aleancës ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë, e shoqëruar me marrëveshje të fshehtë me të cilën u parapa edhe ndarja e tokave të cilat planifikonin t’i pushtojnë, në të cilat jetonin maqedonas. Pas serisë së marrëveshjeve të ndërsjella u krijua Aleanca Ballkanike si aleancë ndërmjet Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Lufta e Parë Ballkanike dhe Konferenca Paqësore e Londrës

Në tetor të vitit 1912 Mali i Zi i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Shtetet tjera të Aleancës Ballkanike iu bashkëngjitën, me çka filloi Lufta e Parë Ballkanike. Gjatë luftës, shtetet ballkanike arritën të pushtojnë një pjesë të madhe të tokës evropiane që i kishte mbetur Perandorisë Osmane.

Ushtritë e shteteve të Aleancës Ballkanike vepronin në tokën e banuar me maqedonas (ushtritë serbe lëvizën drejt luginës së Vardarit në jug deri në Lerin, ushtritë bullgare hynë në hapësirën e Maqedonisë së sotme Pirine deri në Detin Egje, ndërsa ushtritë greke në pjesën tjetër të Maqedonisë së sotme Egjeje deri në Selanik).

Në këto rrethana, populli maqedonas e shihte gjasën për fitimin e pavarësisë dhe për formimin e shtetit të vet. Për këtë arsye një numër i madh i maqedonasve si vullnetarë bashkëngjiteshin me ushtritë e shteteve fqinje ballkanike, me shpresë se populli maqedonas do të trajtohet si aleat i barabartë i cili do të mund të formojë shtetin e vet. Përveç kësaj u formuan edhe çeta të udhëhequra nga komandantët maqedonas. Kështu për shembull, aradha e udhëhequr nga Jane Sandanski e çliroi Mellnikun me vendet përreth dhe si pararojë e ushtrisë bullgare hyri në Selanik. Në një gosti në Selanik, në prezence të oficerëve bullgarë, Jane Sandanski u mundua t’i shprehë këto shpresa duke ngritur dolli për Maqedoninë e lirë dhe autonome. Oficerët bullgarë haptazi e kundërshtuan këtë ide dhe qartë e bënë me dije se dëbimi i ushtrisë osmane nuk nënkuptonte formimin e shtetit të pavarur maqedonas, por ndarje të re dhe okupim, por kësaj radhe nga ushtritë aleate.

Lufta e parë ballkanike mbaroi në maj të vitit 1913 me mbajtjen e Konferencës Paqësore në Londër me ndërmjetësim të Fuqive të Mëdha.

Para fillimit të konferencës filloi aktiviteti i fortë i emigracionit maqedonas, me ç’rast posaçërisht u theksua kolonia maqedonase në Petrograd e udhëhequr nga Dimitrie Çupovski. Çupovski udhëtoi në Maqedoni dhe inicoi aktiviteteve të cilat duhej të ndihmojnë në krijimin e shtetit të pavarur maqedonas (nisma për dërgimin e delegacionit në Konferencën Paqësore të Londrës e cila duhej ta parashtrojë çështjen e Maqedonisë së pavarur dhe nismën për propagandën e gjerë në Maqedoni dhe jashtë saj). Pas largimit nga Maqedonia dhe kthimit në Petrograd, u dërguan memorandume, njëri deri te Fuqitë e Mëdha të Konferencës Paqësore të Londrës dhe tjetri iu dërgua qeverive të shteteve ballkanike. Në memorandumet ata kërkonin që Maqedonia në kufijtë e saj gjeografikë dhe etnografikë të bëhet shtet i vetëm dhe i pandashëm ballkanik dhe në një të afërme të afërt të thirret kuvendi kombëtar maqedonas i cili do ta zgjidh çështjen e rregullimit të brendshëm të shtetit.

Me marrëveshjen e Konferencës së Londrës u bë ndarje e re e tokave. Pjesën më të madhe të tokës së pushtuar aleatët ballkanikë e ndanë mes veti dhe u arrit marrëveshje që Shqipëria të bëhet shtet i pavarur. Tokat e banuara me maqedonas më nuk ndodheshin  nën pushtetin e Perandorisë Osmane, por u ndanë mes aleatëve ballkanikë.

Lufta e Dytë Ballkanike dhe Marrëveshja Paqësore e Bukureshtit

Lufta e Parë Ballkanike dhe Marrëveshja Paqësore e Londrës krijuan mosmarrëveshje të reja mes aleatëve ballkanikë për shkak të ndarjes së tokave të pushtuara nga Perandoria Osmane. Në luftën e re e cila filloi në mesin e vitit 1913 Serbia dhe Greqia u shfaqën si aleatë kundruall Bullgarisë, ndërsa më vonë iu bashkëngjitën edhe Mali i Zi, Rumania dhe Perandoria Osmane. Lufta e Dytë Ballkanike u zhvillua kryesisht në tokat e banuara me maqedonas, për shkak se ata u ndanë sërish. Popullsia maqedonase në mënyrë të drejtpërdrejtë u gjend në qendër të ngjarjeve, pa mundësi reale që aktivisht të ndikojë në fatin e vet.

Konferenca paqësore ndërmjet vendeve fituese dhe Bullgarisë së mundur u mbajt në Bukuresht, Rumani në gusht të vitit 1913. Me këtë marrëveshje u krijua shtet më i fuqishëm Serb, u dobësuan pozitat e Bullgarisë, ndërsa Perandoria Osmane ktheu një pjesë të tokave që i kishte humbur më parë.

Në këtë konferencë u bë shpërndarja e re e tokave të banuara me maqedonas mes Bullgarisë, Serbisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Në përbërje të shtetit bullgar hyri toka e Maqedonisë së sotme Pirine me Strumicën dhe rrethinën; në përbërje të Serbisë hyri pjesa e sotme e Maqedonisë së Vardarit; Greqia e fitoi Maqedoninë e sotme Egjeje; ndërsa një pjesë e vogël e tokave jugperëndimore të banuara me maqedonas i takoi shtetit shqiptar. Me këtë ndarje në mënyrë të vazhdueshme u ndërprenë lidhjet shekullore të popullsisë maqedonase në këto anë. Në asnjërin nga shtetet në të cilin hynë pjesë nga tokat e banuara me maqedonas, populli maqedonas nuk u pranua si popull dhe u zbatua politika agresive e asimilimit të dhunshëm dhe denacionalizimi.

LUFTA E PARË BOTËRORE DHE KONFERENCA PAQËSORE E PARISIT

Pjesëmarrja e maqedonasve në luftë

Populli maqedonas e priti Luftën e Parë Botërore i ndarë mes shteteve ballkanike. Kjo paraqet moment të rëndësishëm në ngjarjet të cilat ndodhnin në tokat e Ballkanit  para fillimit dhe gjatë Luftës së Parë Botërore.

Gjatë gjithë luftës popullsia maqedonase aktivisht ishte e përfshirë në veprimet luftarake si pjesë përbërëse e ushtrive të shteteve nën pushtetin e të cilëve ishte. Në të shumtën e rasteve kjo përfshirje ishte e imponuar me forcë. Serbia bëri mobilizimin e popullsisë maqedonase, me ç’rast u rekrutuan 53.000 maqedonas. Këta ushtarë pa asnjë përgatitje ushtarake u dërguan në radhët e para të luftës. Në Bullgari u bë mobilizimi i 33.000 maqedonasve të cilët jetonin në tokat në përbërje të Bullgarisë. Fatin e njëjtë e pati edhe popullsia maqedonase nga tokat në përbërje të Greqisë, ku qeveria greke, edhe krahas paanësisë bëri rekrutimin e 20.000 maqedonasve.

Në tokën e banuar me maqedonas, e cila ishte nën pushtetin e Serbisë, nga toka bullgare depërtonin çetat e VMRO-s së Todor Aleksandrovit, duke bërë aksione terroriste të drejtuara kundër pushtetit serb. Rezultati i këtyre veprimeve më së shpeshti ishte vuajtja edhe më e madhe e popullsisë maqedonase – pas tërheqjes së çetave bullgare, autoritetet serbe e shtonin terrorin ndaj maqedonasve.

Paralelisht me këtë, revolucionarët maqedonas të udhëhequr nga Jane Sandanski bënë përpjekje që ta pengojnë hyrjen e Bullgarisë në luftë dhe ta pengojnë zgjerimin e saj tokësor në tokat e banuara me maqedonas. Grupi i Jane Sandanskit organizoi disa takime me përfaqësuesit politikë në Bullgari gjatë të cilëve u propozua që të kryhet vrasja e perandorit bullgar Ferdinandit. Por propozimet e këtilla nuk hasën në përkrahje. Në ndërkohë regjimi sundues kuptoi për qëllimet e tyre dhe në prill të vitit 1915 Jane Sandanski u vra.

Hapja e frontit maqedonas

Mundësia për ndarje të tokave e motivoi Bullgarinë të hyjë në luftë në anën e Fuqive Qendrore. Në tetor të vitit 1915 Bullgaria e sulmoi ushtrinë serbe në Maqedoni, ndërsa në pranverë të vitit 1916 u hap “Fronti Maqedonas”. Me frontin toka e banuar me maqedonas e cila ishte në përbërje të Serbisë dhe Greqisë u nda ndërmjet ushtrive të Antantës dhe Fuqive Qendrore. Kjo ndarje u ruajt deri në vitin 1918 kur fronti u thye dhe Fuqitë e Antantës i shtypën Fuqitë  Qendrore në veri. Lufta e Parë Botërore mbaroi me nënshkrimin e Marrëveshjes Paqësore të Versajit në Konferencën Paqësore në Paris në vitin 1919.

Pasojat për maqedonasit nga Lufta e Parë Botërore

Pasojat nga lufta për popullin maqedonas ishin shumë të rënda. Një pjesë e madhe e qyteteve dhe fshatrave u dogjën dhe u fshinë nga harta gjeografike. U zhduk ekonomia maqedonase. Anekënd mbizotëronte shkatërrimi, u shfaqën sëmundje ngjitëse dhe uria të cilat edhe më tepër ndikuan në keqësimin e gjendjes. Edhe në të dyja pjesët bëhej marrja me detyrim e prodhimeve dhe u grabitën pasuritë kombëtare, popullsia u ngarkua me punë të detyrueshme dhe bëhej rekrutimi masiv me çka Maqedonia u shndërrua në një kamp të madh ushtarak. Ndaj gjithë kësaj populli maqedonas përgjigjej me mënyra të ndryshme të rezistencës. Populli maqedonas dha edhe një numër të madh të viktimave njerëzore si nga rekrutimi i detyrueshëm i ushtarëve ashtu edhe nga radhët e popullsisë civile.

Ripërtëritja e “Çështjes Maqedonase” dhe Konferenca Paqësore e Parisit

Gjatë luftës sërish u aktualizua “çështja maqedonase”. Emigracioni maqedonas u mundua ta imponojë zgjidhjen e “çështjes maqedonase” që në fillim të luftës, megjithatë aktivitetet për promovimin e idesë për shtetin e pavarur maqedonas posaçërisht u rritën në fund dhe pas mbarimit të luftës. Në Zvicër disa shoqata maqedonase në dhjetor të vitit 1918 u bashkuan në një organizatë të vetme – Këshilli i Përgjithshëm dhe dërguan Thirrje para publikut të botës në të cilën e arsyetonin të drejtën e Maqedonisë dhe maqedonasve për vetëvendosje dhe pavarësi. Në Petrograd u formua Komiteti Revolucionar Maqedonas (në krye me Dimitrija Çupovskin, Kërste Misirkovin dhe Nace Dimovin) i cili e inicioi idenë për krijimin e Republikës Ballkanike Federative Demokratike me Maqedoninë si anëtar të barabartë. Revolucionarët maqedonas në Bullgari nga qarku u Serit të OBRM-s (VMRO-s) të udhëhequr nga Dimo Haxhi Dimov e shpallën “Deklaratën për Zgjidhjen e Çështjes Maqedonase” në të cilën kërkonin autonomi për Maqedoninë në kufijtë e sajë etnikë. Më vonë ky grup u lidh me revolucionarët e udhëhequr nga Gjorçe Petrovi dhe bashkërisht e formuan Përfaqësinë e Përkohshme të OBRM-s së dikurshme të bashkuar dhe dërguan përfaqësues në Konferencën Paqësore të Parisit. Emigracioni në Stamboll organizoi tubim në të cilin u lexua Memoar në të cilin u rekomandua bashkimi sipas parimit të Zvicrës.

Gjatë Konferencës Paqësore të Parisit të mbajtur më 1919, disa herë dhe në mënyra të ndryshme u parashtrua çështja maqedonase (për këtë posaçërisht është diskutuar në mbledhjet e “Komitetit për Krijimin e Shteteve të Reja”). Dëshirat dhe interesat e popullit maqedonas për pavarësi dhe për krijimin e shtetit të vet ishin të qarta dhe të çiltra, megjithatë nuk hasën në përgjigje pozitive nga ana e Fuqive të Mëdha. Në fund, në Konferencën Paqësore të Parisit çështja maqedonase u zgjidh si çështje e pakicës dhe toka e banuar me maqedonas u nda ndërmjet katër shteteve fqinje: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Pjesa e Maqedonisë së Vardarit hyri në përbërje të shtetit të posakrijuar të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Pjesa e Maqedonisë Pirine hyri në përbërje të Bullgarisë (Strumica me rrethinën iu morr dhe iu dha Mbretërisë SKS). Pjesa e Maqedonisë Egjeje mbeti në përbërje të Greqisë dhe një pjesë më e vogël e Maqedonisë jugperëndimore i takoi Shqipërisë.

Ndarja e tokës në të cilën jetonin maqedonasit la pasoja të rënda dhe të gjata në zhvillimin e mëtutjeshëm të vetëdijes kombëtare të maqedonasve dhe zhvillimit, si në fushën ekonomike dhe politike ashtu edhe në atë kulturore e arsimore.

Merreni RSS versionin
nga lajmet e 
PressOnline
...............................





"""


................................