ASHAM tentativa për të heshtur “Enciklopedinë”
Akademikët shqiptarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) nuk përjashtojnë mundësinë se shtyrja e vazhdueshme e seancës së dytë të Kuvendit të kësaj akademie. mund të ketë tendenca për heshtjen e këtij problemi, që nxiti reaksione të mëdha në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm. Në të njëjtën linjë është edhe akademik Ali Aliu, cili megjithatë thekson se nuk mund të ndodhin gjëra të tilla për të zbutur apo heshtur dëmin që u shkaktua dhe që akoma ngelet pezull.
“Shtyerja kaq e gjatë mund të komentohet edhe si një tentativë për të zbutur krejt atë dëm që ndodhi, për të harruar gradualisht ate ashtu siç harrohen shumë sende tek ne”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA akademiku Aliu, i cili ka nënvizuar se gjatë javës së ardhshme do të mbahet seanca e radhës.
Por nga selia e ASHAM kanë theksuar për gazetën se takimi i radhës është shtyrë për afat të pacaktuar, për shkak se sipas tyre, po vazhdojnë konsultimet në kuadër të njësive të kësaj akademie.
“Mendimet e akademikëve duhej të dorëzoheshin deri në fillim të kësaj jave, por kjo nuk ndodhi sepse u kërkua kohë edhe më shumë”, kanë theksuar burimet pranë ASHAM.
Kryetari i Akademisë, Georgi Stardelov paralajmëroi se ekspertiza nga njësitë duhej të realizohej gjatë kësaj jave, mirëpo ai deri tani nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje. |